
Murali “Heronjtë e Klimës” merr jetë në Shkollën “Faik Konica”
Shkolla Fillore “Faik Konica” u mbush me ngjyra dhe frymëzim kur u inaugurua murali “Heronjtë e Klimës”, një vepër e veçantë që synon të frymëzojë veprime konkrete për klimën.
Fotografia fituese nga gara e fotografisë u bë mural që tani zbukuron muret e shkollës, duke u shndërruar në një simbol të edukimit mjedisor dhe kreativitetit për brezat e rinj.
Ngjarja u pasurua me fjalimet inspiruese të Zëvendës Ambasadorit të Ambasadës Gjermane, Matthias Conrad, dhe Zëvendës Kryetares së Komunës së Prishtinës, Jehona Lushaku Sadriu, të cilët i kujtuan nxënësve se çdo veprim, sado i vogël, ka rëndësi për të ardhmen e planetit.
Mesazhi i tyre ishte i qartë: secili mund të bëhet një hero i klimës. Një moment emocionues ishte edhe prezenca e vetë fitueses Adelina Isufi, e cila pa dyshim solli energji dhe frymëzim tek të gjithë pjesëmarrësit.
Muralin e realizuan artistët e njohur @rina_krasniqi, @thisones_art dhe @tizerid, duke kthyer artin në një thirrje konkrete për veprim dhe ndërgjegjësim mjedisor.
Ky mural është një mesazh i fuqishëm se çdo hap i vogël mund të bëjë ndryshimin e madh, dhe tani nxënësit e Shkollës “Faik Konica” kanë një kujtesë të përhershme për të vepruar për të ardhmen e gjelbër të planetit tonë.