Diskutime e filma dokumentarë për mjedisin, thirrje për një të ardhme më të gjelbër në kuadër të fushatë “Mendo Gjelbër. Vepro Gjelbër”

Për tre net me radhë, Kino Armata u shndërrua në një skenë të hapur për klimën, ku qytetarë, ekspertë dhe aktivistë u mblodhën për të ndarë ide, emocione dhe vizione për një të ardhme më të gjelbër. 

Në kuadër të kampanjës “Mendo Gjelbër. Vepro Gjelbër”, ngjarja “Klima në Fokus: Dokumentimi i Botës në Ndryshim” solli para publikut tre dokumentarë që prekin zemrën – I am Greta, Taste the Waste dhe Honeyland. 

Nga rrugëtimi i guximshëm i Greta Thunberg, te alarmi global për shpërdorimin e ushqimit, e deri tek historia prekëse e bletërritëses së fundit të egër në Maqedoni të Veriut, secila mbrëmje ishte një udhëtim në sfidat dhe shpresat për planetin. 

Fjalët e Dr. Sebastian Leuschner nga Ambasada e Gjermanisë dhe të Marianne Alker nga GIZ sollën mesazhe të qarta: veprimi është urgjent, dhe Kosova ka potencialin të jetë pjesë e zgjidhjes. 

Edhe Ministri i Mjedisit Liburn Aliu, përmes një video-mesazhi nga COP29 në Azerbajxhan, theksoi rolin e vendit në skenën globale të klimës. 

Me mbështetjen e Qeverisë Gjermane përmes GIZ dhe në bashkëpunim me Kino Armata, Dokufest dhe Goethe Institut, ky aktivitet la pas jo vetëm filma, por një thirrje të fortë për të vepruar sot – sepse e ardhmja fillon tani.

Scroll to Top