
Adelina Isufi fiton vendin e parë në garën #VeproGjelbër, fotografia e saj bëhet mural
Adelina Isufi është shpallur fituesja e vendit të parë në garën #VeproGjelbër për fotografinë më të mirë, dhe fotografia e saj tashmë është realizuar si mural në Shkollën Fillore “Faik Konica” në Prishtinë, duke u bërë simbol i veprimit për klimën dhe frymëzimit për brezat e rinj.
Në vendin e dytë u rendit Aliriza Hyseni, i cili fitoi 200 euro, ndërsa Ambientalistat e Mitrovicës morën vendin e tretë me 150 euro.
Votimi për fotografinë më të mirë u zhvillua përmes rrjeteve sociale dhe gjatë Javës për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kosovë (KSDW), duke nxjerrë në pah kreativitetin dhe angazhimin e pjesëmarrësve për mbrojtjen e mjedisit.
Ky aktivitet është pjesë e fushatës “Mendo Gjelbër. Vepro Gjelbër”, duke nderuar heronjtë e vërtetë të përpjekjeve kundër ndryshimeve klimatike dhe duke frymëzuar komunitetin për të vazhduar të mendojë dhe të veprojë gjelbër.